Nafta shtrenjtohet sërish me 7 lekë, arrin 189 lekë për litër
Çmimi i naftës në tregun vendas është rritur sërish dhe në disa pika të Tiranës ka arritur në 189 lekë për litër.
Rritja vjen pas luhatjeve të forta të çmimeve në bursat ndërkombëtare pas tensioneve në Lindjen e Mesme. Që nga 4 marsi, çmimi i naftës në tregun me pakicë është rritur disa herë dhe deri tani ka shënuar një rritje totale prej 14 lekësh për litër.
Nga një vëzhgim në terren rezulton se në disa pika të kryeqytetit çmimi është rritur me 7 lekë krahasuar me ditën e premte, duke kaluar nga 182 në 189 lekë për litër.
Rritje në disa pika karburanti
Çmimi prej 189 lekësh për litër është regjistruar në një pikë të kompanisë “Elda” pranë zonës së Oxhakut në Tiranë.
Ndërkohë në disa pika të tjera çmimet kanë mbetur më të ulëta. Për shembull, në një pikë të kompanisë “Gega” pranë Tregut Ushqimor nafta tregtohet me 182 lekë për litër, ndërsa në një pikë të kompanisë “Coral” pranë “Casa Italia” benzina ka arritur 186 lekë për litër. Përgjatë autostradës çmimet mbeten kryesisht të pandryshuara. Në një pikë të kompanisë “Kastrati” në Vorë dhe në një pikë të “Alpet” nafta vijon të shitet me 182 lekë për litër.
Ndikimi i bursave ndërkombëtare
Rritja e çmimeve në tregun vendas lidhet me shtrenjtimin e naftës në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent ka arritur rreth 100 dollarë për fuçi dhe mëngjesin e sotëm është ngjitur në 103 dollarë. Para përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, nafta në bursë tregtohej me rreth 65 dollarë për fuçi.